Tabaku: PD zgjedh të ardhmen, duke iu rikthyer parimeve të atyre që e themeluan

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2021, 17:02 | Politikë
Tabaku: PD zgjedh të ardhmen, duke iu rikthyer parimeve të atyre

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie u shpreh se “ne duhet të kemi guximin për t’iu rikthyer atyre parimeve të shenjta mbi të cilat u ngrit kjo forcë politike”.

“Duhet të pranojmë dhe besojmë që forca jonë politike është një forcë që duhet të tejkalojë çdo individ, qoftë ai edhe kryetari i PD-së”, tha Tabaku.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë një PD të dytë, për aq kohë sa vlerat dhe parimet e PD-së së vetme mbahen të shenjta. Ne duam të godasim në zemër korrupsionin dhe kapjen e lirisë së tregut dhe individëve nga baronët hajdutë që sot qeverisin vendin. Sot, Shqipëria dhe shqiptarët kanë përballë një qeverisje të kalbur dhe të korruptuar që i mban peng në burgun e tranzicionit. Shqiptarët kanë përballë një armatë hajdutësh dhe të korruptuarish që i përdorin zyrat e qeverisjes për të privuar të rinjtë dhe të rejat nga liria e tyre. Prandaj ne duhet të jemi krahu, shtegu dhe udha nga e cila Shqipëria të kalojë nga burgu i tranzicionit në lirinë e një Shqipërie Europiane”, shtoi Tabaku.

Sipas saj, PD-ja do të jetë “shpresa e të ardhmes sepse do të luftojmë për një ekonomi dhe Shqipëri të mundësive për të gjithë, të meritokracisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos