
Në turin para zgjedhjeve për kryetar në PD, Lulzim Basha u ndal në Mat dhe në Bulqizë, nga ku përsëriti edhe njëherë tjetër se zgjedhjet e 25 prillit nuk kishin asnjë lidhje me rregullat e demokracisë.
“Një betejë që nuk kishte asnjë lidhje me rregullat e demokracisë. Ne u futëm në një betejë, përballë një kundërshtari politik i cili e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur në detaje nga momenti i parë deri në momentin e fundit. I cili përdori kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti demokratëve të gjithë arsenalin e shtetit, të buxhetit, të parave të korrupsionit, të bandave kriminale dhe të favoreve tjera të cilat ju i dini fare mirë dhe nuk ka nevojë t’i rreshtoj këtu, që nga tolerimi me kusht i rritjes së bimëve narkotike, tek tolerimi me kusht i ndërtimeve pa leje, tek legalizimet për vota, tek blerja e mjerimit që ka mbjellë në sofrat Matjane për një grusht parash e gjithçka tjetër. Po kështu shoh në sytë tuaj zemëratën për këtë padrejtësi që në fakt nuk iu është bërë vetëm demokratëve por Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Më tej, Basha u shpreh se PD u konfirmua forca morale e vetme në vend.
“Këtu vetë në Mat me dy simbolet e krimit me Malajt e Bashkisë dhe Malajn e një nga protagonistët e dosjes 184, pavarësisht të gjithë kësaj ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë dhe për shqiptarët, duke u bërë më të fortë, duke u rritur dhe duke mos u lëkundur para këtyre presioneve, ne dolëm nga kjo betejë dhe u konfirmuam si forca e vetme morale në vend. Beteja ishte dizenjuar për të shkatërruar jo thjeshtë vullnetin e shqiptarëve por shpirtin e Partisë Demokratike. Pavarësisht prej pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve, pavarësisht prej pikëpamjeve të ndryshme që është normale që të kemi në një parti të hapur të debatit siç, është partia jonë, jemi ne që prapë se prapë kemi mbi supe misionin e ndryshimit që morëm para shqiptarëve dhe e çuam me 25 prill në një pikë kulminante ndonëse jo finale të betejës tonë”. (A2 Televizion)