
Presidenti Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik 2022 në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”. Është ky reagimi i zëdhënësit të presidentit në lidhje me komisionin hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit. Përmes një postimi në Facebook, Tedi Blushi shprehet se çdo vendim i Kuvendit është nul dhe tenton të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit.
Sipas tij, të gjithë autorët e këtij krimi janë angazhuar kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruan Blushi.
Komisioni Hetimor miratoi sot raportin përfundimtar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe ka gjetur shkelje të 4 neneve kushtetuese nga Kreu i Shtetit.
Raporti përfundimtar i dërgohet Kuvendit, i cili voton nëse është dakord me kërkesën e mazhorancën për shkarkimin e Presidentit. (A2 Televizion)