
Diplomati dhe analisti Agim Nesho ishte i ftuar në Ditarin në A2 nga ku komentoi vendimin e një dite më parë të Departamentit. Nesho u shpreh se në këtë moment, Shqipërisë nuk i shërben gjykimi për të kaluarën, por rivendosja e demokracisë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Unë jam dakord me iniciativën e SHBA për t’u marrë me vende që kanë një demokraci të brishtë, ku futet edhe Shqipëria. Problemet kryesore që kanë të bëjnë me vendet e Ballkanit janë ato të korrupsionit dhe të klientelizmit. Fakti që merren me një personazh si Sali Berisha, unë mendoj se është pikësynimi i gabuar. Unë mendoj se kjo mund të vijë nga shumë vlerësime që kanë bërë diplomacia amerikane në një moment të caktuar kur Shqipëria po përballet me një krizë shumë të madhe të demokracisë, që është legjitimiteti i zgjedhjeve të vjedhura në vendin tonë. Kemi të bëjmë me bazën e demokracisë. Mendoj se kjo nuk i shërben Shqipërisë. Shqipërisë nuk i shërben gjykimi për të kaluarën, por rivendosja e demokracisë”.
Për Neshon, Sali Berisha nuk duhet të ishte në të njëjtën listë me Tom Doshin, Vangjush Dakon, Adriatik Llallën. “Sali Berisha është një udhëheqës historik në Shqipëri. Me të lidhen të gjitha proceset demokratike dhe nuk mund të barazohet. Plus, ai ka një përkrahje popullore dhe vendime të tilla çojnë në acarimin e situatës politike. Kjo iniciativë, edhe e mirë në esencë, provokon dhe justifikon regjime të tilla si të Ramës, ku korrupsioni është bërë një nga mjetet e ekzistencës së qeverisë”, tha Nesho. (A2 Televizion)