Berisha uron Kosovën: Feniks që u ngrit nga hiri, sot demokraci funksionale që na bën krenar

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2023, 12:33 | Politikë
Berisha uron Kosovën: Feniks që u ngrit nga hiri, sot demokraci

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka uruar Kosovën në 15-vjetorin e saj të Pavarësisë.

Sipas ish-kryeministrit, ajo është ”dita e dytë më e madhe e lirisë së tyre pas pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitektit te saj, politikanit mendjendritur të kombit shqiptar, presidenti Ibrahim Rugova, Gandit Ballkanik dhe Europës që thuri tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur, më fisnike, njeriut të civilizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe që themeloi e ngriti në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur paralel me pushtetin e pushtuesve barbar. Pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari që i la kombit të tij kreshtën e trimërisë, heroizmit dhe sakrificës si dhe heronjve të tjerë të pavdekshëm dhe dhjetëra mijëra luftëtarëve të lirisë që me guximin, heroizmin, sakrificën e tyre bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë dhe çliruan Kosovën. Pavarësia e Kosovës është vepër e shqiptarëve në rajon dhe kudo në botë që moton ‘Një komb një qëndrim’ u bashkuan si një trup i vetëm, dhe Shqipëria pas çlirimit të saj nga diktatura hoxhiste luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm! Por Kosova u bë e lirë dhe e pavarur vetëm falë mbështetjes së fuqishme dhe rolin përcaktues të SHBA, të Kongresit të këtij vendi dhe Presidentit Bill Klinton dhe Presidentit George W Bush”.

Sipas tij, Kosova “me arritjet e saj mahnitëse për një kohë të shkurtër si vend i pavarur, Kosova bënë krenar çdo shqiptar. Ajo sot është një demokraci funksionale që ka konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor dhe ka arritur standardet më të larta të garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave në rajon”.

Berisha e krahason Kosovën me një “feniks që u ngrit nga hiri dhe shkrumbi që lënë pushtuesit dhe ka sot një ekonomi solide në rritje, ka ndërtuar infrastrukturën më moderne në rajon. Kosova është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë në trojet e tyre. Ajo në këto vite ka bërë emër botëror me talentin e rrallë dhe zërin magjepsës të çikave të saj dhe shkëlqimin e mbretëreshave të saj në sport”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/17/deshira-ime-me-e-madhe-te-bashkohemi-me-berishen/

A2 CNN Livestream

Latest Videos