Teatri Kombëtar kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Me një vendim të Këshillit të Ministrave që mban datën 8 maj, me propozim të Ministrisë së Kulturës, teatri dhe trualli i tij prej 5 522 metrash katrorë i kalojnë në pronësi bashkisë.
Qëllimi është ndërtimi i një godine të re bashkëkohore, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare. Por, në pikën 2 të vendimit, thuhet se Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
I menjëhershëm reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se “ndërkohë që shqiptarët presin zgjidhje për krizën që ka pllakosur, Rama gjen kohë vetëm për të grabitur”.
“Kalimi i TK në pronësi të kryebetonierit të mafias është akt lufte ndaj artit dhe qytetarisë dhe provokim ndaj BE-së dhe përfaqësuesve të saj në vigjilje të Ditës së Europës”, theksoi Basha. (A2 Televizion)
