
Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar përmes një deklaratë për shtyp për protestën që u mbajt disa ditë më parë nga disa qytetarë kundër masave shtrënguese të qeverisë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Selia Blu dënon përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave dhe nuk pajtohen me vendimin për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Sipas PD-së, kryeministri Rama nuk mund të marrë peng shqiptarët dhe të zëvendësojë demokracinë me vendime antikushtetuese.
“Ngritja e zërit nga disa aktivistë, që nuk pajtohen me vendimet antikushtetuese të parlamentit ilegjitim për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, është garanci për themelin e çdo shoqërie demokratike. Sot, qytetarëve po u cenohen të drejtat me lehtësi nga regjimi i Edi Ramës, sepse kryeministri antishtet po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim kontrollin politik të saj. Partia Demokratike është në krah të çdo qytetari që ngre zërin për liritë dhe të drejtat, që ngre zërin për shëndetin dhe punën e tij. Asnjë vendim antikushtetues nuk mund të bëjë që Edi Rama të marrë shqiptarët peng dhe të zëvendësojë demokracinë me regjimet autoritariste”, shkruhet në njoftimin e PD-së. (A2 Televizion)