
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka mbrojtur edhe njëherë vendimin dhe mori përgjegjësinë për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, pas largimit të ushtarëve të fundit nga ky vend një ditë më parë.
Në një konferencë për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi dhe procesin e evakuimit të civilëve dhe bashkëpunëtorëve në Afganistanin e zaptuar nga talebanët, duke thënë se ishte një ndër më të mëdhenjtë në histori, për një periudhë kohore kaq të shkurtër.
"Asnjë vend në botë nuk ka bërë diçka të tillë me evakuimin. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë kapacitete dhe aftësinë për këtë gjë”, tha Biden.
Më tej, presidenti Biden u shpreh se SHBA ishte përgatitur për një dështim të forcave afgane përpara afatit të 31 gushtit.
“Ne këshilluam ekipin tonë të sigurisë kombëtare të përgatitej për çdo skenar. Ne ishim gati kur forcat afgane të sigurisë nuk i bënë ballë presionit të talebanëve, ndonëse ne prisnim më shumë.
Gjithashtu, Biden premtoi se Shtetet e Bashkuara do të asistojnë të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen nga Afganistani në një kohë të dytë, duke qenë se shumë kanë zgjedhur të qëndrojnë momentalisht aty. (A2 Televizion)