
Është pagëzuar si “qendra e ferrit” në Ukrainë. Zona të tëra të qytetit të Mariupolit gjenden tani nën rrënoja. Ndërsa mungesa katastrofike për ushqim dhe ujë përkeqësohet, autoritetet lokale paralajmërojnë se epidemi të fuqishme dhe vdekjeprurëse mund pushtojnë shpejt qytetin.
Mijëra trupa të dekompozuar gjenden nën rrënoja dhe evakuimet e civilëve mbeten ende të pamundura. Sviatoslav Palamar, zv/Komandant i Batalionit Azov, shprehet: “I bëj thirrje ushtrisë sonë dhe komandës politike të veprojë me vendosmëri për lirimin dhe evakuimin e atyre që po besojnë tek atdheu i tyre”.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden propozoi një paketë të paprecedentë prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, para që tejkalojnë buxhetet ushtarake të shumicës së vendeve: “Kostoja e kësaj lufte nuk është e lirë. Por, duke lejuar agresionin, do të na kushtojë më shumë”.
Paketa u propozua në të njëjtën ditë kur Moska intensifikoi paralajmërimet ndaj Perëndimit, për të mos e armatosur Ukrainën. Por, ndërsa është dukshëm i vendosur për të mos u tërhequr nga kërcënimet e Putin, Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk po sulmonin Rusinë, por po mbështesnin Ukrainën t’i bënte ballë agresionit. (A2 Televizion)