"Kush humbet pikët e patentës kthehet në autoshkollë nga e para", Gonxhe: Masa të rrepta edhe për përdoruesit e narkotikëve

Nga A2 CNN
29 Prill 2022, 10:58 | Aktualitet
"Kush humbet pikët e patentës kthehet në autoshkollë

Kush humbet pikët e patentës do të kthehet në autoshkollë dhe do të përsërisë provimin, ku krahas dy testeve do të shtohet edhe autoshkollimi. Këtë paralajmëroi drejtori i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, në studion e “Ditarit” në A2 CNN, duke njoftuar ashpërsimin e masave për shkelësit e përsëritur të rrugës, krahas kostove të shtuara në para.

"Ndryshimi nuk ka të bëjë sesi hiqen pikët, por rriten masat për shkelësit e përsëritur. Ata që humbin pikët e lejedrejtimit do të kenë një kalvar më të gjatë; regjistrim në autoshkollë, mësim në autoshkollë, riformim e riedukim në autoshkollë dhe pastaj testim në teori e praktikë në DPSHTRR. Përveç dy testeve, do të shtohet edhe autoshkollimi. Kjo bën që rruga të jetë më e gjatë për t’u rikthyer në sistem, në rrugë me mend në kokë. Kjo do të ketë faturë më të madhe te shkelësit e përsëritur se kursi do të paguhet nga e para”.

Sipas Gonxhes, kjo është bërë me qëllim vështirësinë e kthimit në rrugë për të papërgjegjshmit dhe shkelësit e përsëritur, ku tashmë me digjitalizimin vjen në ndihmë edhe Policia. 

"Kjo është bërë e qëllimshme nga ana jonë për të vështirësuar kthimin në rrugë për të papërgjegjshmit dhe ata që kanë përsëritur shkeljet. Një qasje që më në fund në 2022 kemi një Polici Shteti që e kanë vënë fokusin te digjitalizimi, se kishim probleme me ndërkomunikimin tonë me shkëmbimin në kohë reale të të dhënave të pikëve të hequra dhe shërbimet e qytetarëve dhe pit stop edukativ. Dhe policia po ecën me hapin e kohës. Kishim ingranazhe të ndryshkura. Tashmë kemi një ndërveprim shumë të mirë me policinë dhe për të gjitha këto shkelje, do të kemi reagim më të shpejtë”.

Masa të rrepta, Gonxhe njoftoi edhe për përdoruesit e narkotikëve, të cilët nuk mund të marrim patentën pa u deklaruar i pastër nga mjeku përkatës dhe nga një komision i posaçëm.

“Kemi testin për përdoruesit e narkotikëve, kemi masa të rrepta për ta. Nuk lëshojmë të drejtën e lejedrejtimit për ta, derisa mjeku përkatës të verifikojë në një komision përkatës pastrimin nga përdorimi i lëndëve dhe një rrugë shumë e gjatë për ata që deri dje ishin shumë kollaj mbrapsht në timon, sot do ta kenë të vështirë”.

Koha e pandëshkueshmërisë, thekson Gonxhe, ka marrë fund, por pavarësisht përmirësimeve ai thotë se ka ende shumë humbje jete e aksidente që mund të shmangeshin. 

“Kemi përmirësim, por kemi humbje jete dhe aksidente që mund të shmangesh që shkaktohen nga arroganca, pakujdesia dhe pandëshkueshmëria e këtyre personave. Kjo kohë ka marrë fund, situatë e re me përsëritësit. Kemi këshillimin si koncept në varësi të shkeljes së masës dhe përsëritjes. Të gjitha këto mungonin dhe nuk kishim një vështrim dinamik të situatës dhe nuk kishte barazi, kishte mosbesim e keqkuptim”.

Janë 29 rubrika digjitale që ndihmojë për lexim në kohë reale të mjetit dhe drejtuesit të tij, pa e ndaluar atë.

“29 rubrika ka AKSHI si xhamat e errëta, nëse ke ndërhyrë në automjet, gjithçka që ka lidhje me mjetin dhe drejtuesin e mjetit sot i kanë me rubrika në servis që t’i kenë në kohë reale dhe këto ndihmojnë për lexim në kohë reale pa e ndaluar mjetin. Të gjitha skadencat që mund të ketë mjeti për të pasur një flotë të sigurt në rrugë”.

Sa i përket ndryshimit të formatit të targave, Gonxhe njoftoi se kjo bëhet me qëllimin kompletimin e shërbimit dhe përmirësimin e tij, pa përkeqësuar xhepin e qytetarit. Ai tha se janë futur targa sipas modelit të automjeteve, si edhe ato për makinat amerikane dhe kanadeze.

“Ne të DPSHTRR na ka dalë nami i mirë që nuk bëjmë risi penguese që përkeqësojnë xhepin e qytetarit, por që kompletojnë shërbimin, i mungon targa e vogël për pjesën e përparme të mjetit që kanë një volum apo dizajni që duan një targë të vogël. Është për efekt jo vetëm estetik, por respekton modelin dhe pjesën e përparme të mjetit. Kjo nuk është me detyrim, por me dëshirë. Ata që dëshirojnë mund ta zëvendësojnë. Targa amerikane vjen se kemi mbi 10% të importeve nga SHBA-ja dhe këto mjete kanë suporte për një targë që ka përmasa të caktuara, këto përdoreshin me targa të mjeteve xhipa dhe palosej apo këputej. Kemi futur edhe këtë format, por është e kërkuar për regjistrimet e reja për këto mjete. Edhe targa e motomjetit vjen e rregulluar se kishte një targë si tabaka. Janë gjëra të vogla nuk kanë kosto shtesë”.

Gonxhe foli edhe për shërbimin online, ku nga një maji nuk do të ketë më sportele. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos