
Këshilli Politik i Partisë Republikane zhvilloi një takim me ish-ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj dhe Ambasadorin Arben Çejku për të diskutuar për bllokimin e integrimit Europian te Shqipërisë.
Sipas kryetarit të PR, Fatmir Mediu, “ka 7 vjet që Rama refuzohet, se unë nuk mendoj se refuzohen shqiptarët. Janë shtuar shumë pyetje dhe pikëpyetje, në raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Nëpër asnjë aspekt integrues nuk janë bërë pengesë vende si Holanda. Bindja ime është për shkak sepse është shkatërruar çdo lloj organizimi dhe funksionimi të shtetit. Edi Rama në mënyrë të qëllimshme ka shkatërruar institucionet. Krimi dhe korrupsioni janë dominant dhe janë të dukshëm, me efekte jo vetëm në Shqipëri por edhe në perëndim, që ndihen nga qeveritë dhe nga qytetarët e këtyre vendeve dhe që reflektojnë pastaj dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë.”
Sipas Besnik Mustafajt, “nuk ka një perceptim të drejtë të perspektivës diplomatike nga ana e këtij kryeministri, i cili, e them me gjakftohtësinë më të madhe, realisht nuk kupton marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Ambasadori Arben Çejku shtoi se “politika e jashtme e Ramës ka qenë një diplomaci kryeministrore, e cila ka injoruar Ministrinë e Jashtme, dhe ka patur një dalje jashtë konteksti të rolit që duhet të luajë Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s”.
Mediu bëri komentoi edhe situatën në frontin opozitar. “Ne mund t’i referohemi çdo lloj rezultati elektoral, si të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane dhe partive të tjera, për të përcaktuar se ku është pesha elektorale e Partisë Republikane. Për mua është shumë i rëndësishëm çdo republikan, por kur ai është fitues, ashtu siç është i rëndësishëm dhe çdo demokrat kur është fitues. Ne nuk mund t'i presim rrugën një demokrati fitues, madje do t’a mbështesim atë. Marrëdhëniet e Partisë Republikane me Partinë Demokratike janë shumë më specifike se marrëdhëniet e partive të tjera. Kemi një historik 30 vjeçar”. (A2 Televizion)