“Bregdeti Ynë”, Çuçi: 67 milionë lekë gjoba në Ksamil, Velipojë e Shëngjin. Të mos e mendojë më askush të ndërtojë pa leje

Nga A2 CNN
17 Qershor 2021, 15:26 | Aktualitet
“Bregdeti Ynë”, Çuçi: 67 milionë lekë

67 milionë lekë të reja gjoba janë vendosur deri më tani nga IKMT ndaj 44 subjekteve që kanë ndërtuar pa leje në bregdet. Shifrat i tregoi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa po vijon operacioni “Bregdeti Ynë”.

“Që prej nisjes së operacionit dhe deri më sot Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte. IKMT dhe Policia e Shtetit po vijojnë operacionin sipas planit të punës në ato zona të bregdetit ku janë evidentuar objektet e ngritura në shkelje të ligjit. Po e pastrojmë të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, me bindjen se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur këtë pasuri tonën të përbashkët dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shprehet ministri Çuçi.

Pjesa më e madhe e subjekteve të gjobitura është në zonën e Ksamilit, më pas vijon me Velipojën e Shëngjinin. Dy ditë më parë, IKMT dhe Policia e Shtetit e shtrinë operacionin në Shëngjin. Në ditët e ardhshme do të vazhdohet me zona të tjera të bregdetit sipas hartës me njollat ku janë evidentuar objekte të ngritura pa leje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos