Britani, May përballet sot me mocionin e votëbesimit

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2018, 12:49 | Bota
Britani, May përballet sot me mocionin e votëbesimit

Aftësitë e kryeministres britanike Theresa May në drejtim të qeverisë dhe partisë Konservatore janë në dyshim. Për këtë ajo do të përballet me një mocion votëbesimi. Sfida ndaj zonjës May vjen në një kohë kur divorci me Bashkimin Evropian është zhytur në kaos.

Në një deklaratë të shkurtër nga Downing Street, ajo tha se do të kundërshtojë votëbesimin me çdo kusht. Madje paralajmëroi se një kryeministër tjetër në vend të saj do të shtynte ose ndalonte largimin e vendit nga BE.

“Ndryshimi i lidershipit në partinë Konservatore do të vendosë të ardhmen e vendit në rrezik dhe krijon pasiguri kur ne nuk mund ta përballojmë. Një lider i ri nuk do të merrte detyrën deri më 21 janar, pra zgjedhjet për liderishipin rrezikojnë që t’i kalojnë deputetëve opozitarë kontrollin për negociatat për Brexit. Lideri i ri nuk do të kishte kohë për të rinegociuar marrëveshjen e tërheqjes dhe ta kalonte atë në Parlament deri me 29 mars”, deklaroi kryeministrja angleze.

https://a2news.com/2018/12/11/may-mban-shpresen-tek-be-takim-me-merkel-dhe-rutte/

Ende nuk ka një pasqyrë të qartë se si mund të jetë rezultati i këtij votëbesimi.

Kryeministres i duhet të marrë mbështetjen e mazhorancës mes deputetëve konservatorë për të vijuar me drejtimin e qeverisë dhe partisë së saj. Pozicioni i saj në këto detyra është lëkundur ndjeshëm për shkak të marrëveshjes për Brexit të negociuar me Bashkimin Evropian.

Deputetët opozitarë por edhe disa nga konservatorët kundërshtojnë ujdinë me Brukselin për shkak të çështjes se kufirit me Irlandën e Veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos