Britania hap dyert me karantinim. Aviacioni Civil proteston: Masa na dëmton rëndë

Nga A2 CNN
8 Qershor 2020, 12:48 | Bota
Britania hap dyert me karantinim. Aviacioni Civil proteston: Masa na dëmton

Britania e Madhe hap dyert për shtetasit e huaj, por me kushte. Cilido që do të udhëtojë drejt shtetit ishull nga 8 qershori, do të duhet të izolohet për 14 ditë.

Ata që mbërrijnë në vend, me avionë, trena e traget, përfshirë shtetas britanikë, do të duhet të japin adresën ku do të vetëkarantinohen, e në rast të shkeljes se rregullave do të gjobiten me 1 000 paund. Industria e Aviacionit Civil dhe disa deputetë konservatorë e kanë kundërshtuar masën, por sekretarja për Punët e Brendshme, Priti Patel, tha se ligji i ri synonte parandalimin e një vale të dytë të koronavirusit: “Shkenca ka folur qartë. Nëse kufizojmë rrezikun e importimit të rasteve të reja nga jashtë, mund të ndihmojmë në parandalimin e një vale të dytë shkatërruese nga Covid-19”. 

Shumë industri paralajmërojnë se do të preken rëndë nga rregullat e reja, të cilat, sipas shefit të kompanisë britanike të fluturimeve “low cost”, Ryanair, janë thjesht një marifet politik: “Mund të jesh në Sainsbury, në plazh apo në një kurs golfi ditën kur zyra për punët e brendshme mund të telefonojë dhe gjithçka që ata do të kenë është një numër telefoni”.

British Airways, EasyJet dhe Ryanair janë ankuar ndaj masës te prokurori i përgjithshëm, Sir Jonathan Jones, hapi i parë i aksionit ligjor kundër qeverisë. Nga rregullat do të përjashtohen shtetasit e Republikës së Irlandës, ishujt në kanalin anglez dhe Isle of Man, shtetasit e të cilëve nuk duhet të plotësojnë ndonjë formular apo të hyjnë në karantinë.

E njëjta gjë vlen edhe për punonjësit e disa industrive që ofrojnë shërbime thelbësore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos