Ish-sekretari amerikan i shtetit Colin Powell i shtohet zërave të fortë kundër reagimit të presidentit Donald Trump, ndaj protestave antiraciste. Republikani, i cili ka qenë gjithashtu shefi i parë i shtabit nga radhët e komunitetit afro-amerikan, tha se Trump kishte shpërfillur kushtetutën.
Ai i bashkohet listës së gjatë të ish-zyrtarëve të lartë të ushtrisë që sulmojnë mënyrë se si kreu i Shtëpisë së Bardhë menaxhoi zemërimin popullor, kundër vrasjes së 46-vjeçarit me ngjyrë, George Floyd.
“Diplomatët janë të shqetësuar; ne kemi një Kushtetutë dhe duhet t’i përmbahemi asaj. Por presidenti është larguar shumë prej Kushtetutës”, deklaroi Powell.

Duke folur për gjendjen e kombit në CNN, ish-sekretari amerikan i shtetit tha se retorika e presidentit Trump ishte e rrezikshme për demokracinë. Duke iu referuar zgjedhjeve të nëntorit, Powell tha se në asnjë mënyrë nuk do të mbështeste Trump-in.
“Jam shumë pranë Joe Biden, nga pikëpamja sociale dhe politike. Kam punuar me të për 35, 40 vite. Dhe ai është tani kandidati për të cilin do të votoj”, shtoi ish-sekretari amerikan i Shtetit.
Powell, një republikan i moderuar, nuk votoi për Trump as në zgjedhjet e vitit 2016. Në intervistë ai mbështeti gjithashtu krerët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara që kritikuan Trump gjatë ditëve të fundit, të tillë si ish-shefi i Pentagonit James Mattis, apo gjenerali Martin Dempsey.
Nuk vonoi replika e numrit një të Uashingtonit i cili në një postim në Twitter tha se Powell e kishte çuar Amerikën në luftën katastrofike të Lindjes së Mesme, siç u shpreh. (A2 Televizion)