100 ditë krizë blu. Beteja për kreun e PD me shkarkime dhe përjashtime

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 19:27 | Politikë
100 ditë krizë blu. Beteja për kreun e PD me shkarkime dhe

Vendimi i Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, provokoi një efekt domino, të cilit ende nuk po i shihet fundi.  

Lideri historik i demokratëve, si përgjigje ndaj vendimmarrjes së kryetarit, ndërmori nismën e ritkhimit, që në fillim as vetë nuk e kishte menduar që do të gjente aq mbështetje mes demokratëve. Në atë që e pagëzoi si Foltorja për një parti demokratike më të bashkuar, më të fortë e më të hapur, ish-kryetari i kësaj force politike zhvilloi takime me demokratët në të gjithë vendin. Ndër to, dy foltore virtuale me shqiptarët e Amerikës, aty ku Berisha, sipas përcaktimit publik të Sekretarit Amerikan të Shtetit, nuk udhëton dot që prej 19 majit.

Pas rreth 100 ditëve, analizohet se foltoret e para shërbyen si test për mbështetjen. Entuziazmi takim pas takimi ia bëri më të qartë manovrat politike që nisën me mbledhjen e firmave të delegatëve për kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

Në gjuhën e liderit historik, vijoi të ngjiste koncepti i rithemelimit të PD-së dhe kthimi tek vlerat mbi të cilat u krijua Partia Demokratike para 31 vitesh.

Oreksi vjen duke ngrënë. Siç e pohon dhe sot, me mbështetjen në rritje, nuk u mjaftua vetëm me misionin e largimit të Lulzim Bashës nga drejtimi dhe rithemelimin e PD-së. Dilemës që lindi që në foltoren e parë, Berisha iu përgjigj hapur me ambicien për rikthim si kryeministër.

Adhurues i datave historike, Berisha nuk zhgënjeu as në këtë rast, kur në emër të ndryshimit të PD-së, Berisha zgjodhi ditëlindjen e partisë.

Foltorja detyroi dhe Lulzim Bashën që të ndryshonte strategji, duke thirrur një tjetër Kuvend më 18 dhjetor, si Kuvendin që vendos të ardhmen e Partisë Demokratike. 11 dhjetori, nga stadiumi kombëtar, prodhoi një statut të ndryshuar dhe shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha. Për ratifikim, anëtarësia u thirr në referendum ditën kur Basha mbledh kuvendin e tij kombëtar në Pallatin e Kongreseve.

Zgjidhja zyrtare është ende një ekuacion me shumë të panjohura, por pavarësisht se kush do të jetë në krye të PD-së, cikli i foltoreve rigjallëroi bazën e forcës kryesore të opozitës, e cila në nisjen e këtij legjislacioni parlamenar ishte në kushte depresioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos