
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka nënshkruar me homologen e Britanisë së Madhe, Priti Patel, marrëveshjen e ripranimit, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm. Marrëveshja e Ripranimit është propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian dhe është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre.
Palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme
Ministri Çuçi u ndal te nevoja për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në të dyja vendet, apo elemente që përpiqen t’i fshihen drejtësisë.
Ai u shpreh i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën policore, konkretizuar me grupe të përbashkëta hetimore, si dhe e njohu me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët, për ta qasur atë si shërbim e jo si forcë.
Nga ana e saj, ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe riafirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i migracionit të paligjshëm, bashkëpunimi policor në funksion të luftës kundër krimit të organizuar. Po kështu, shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetin e punës së saj. (A2 Televizion)