Çuçi, ministër i Brendshëm, Kikia: Ishte surprizë, zgjedhje e mençur e Ramës

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2020, 10:50 | Politikë
Çuçi, ministër i Brendshëm, Kikia: Ishte surprizë,

Analisti Mentor Kikia, i ftuar në A2, komentoi ndër të tjera, zgjedhjen e Bledi Çuçit si ministër të Brendshëm, duke theksuar se kjo ishte një surprizë, por një zgjedhje e mençur e Ramës.

“Ishte një surprizë, Bledi Çuçi në krye të ministrisë së Brendshme. Mendoj se ka qenë një zgjedhje e goditur e kryeministrit, një zgjedhje e mençur për situatën që po kalon qeveria. Kur them një zgjedhje e mençur nuk po them për interesat e shqiptarëve, por për kryeministrin Rama. Çuçi është njeri me profil të ulët konfliktual, me profil qytetar. Ministria e Brendshme ka qenë një kockë e fortë, e synuar, dhe për pasojë ministria që ka pësuar më shumë ndryshime. Nuk mendoj se një ministër i Brendshëm duhet të jetë një figurë madhore ushtarake, sepse Policia e Shtetit është tërësisht nën kontrollin e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili është zyrtarisht i pranuar edhe nga Rama se është një besnik i tij, një njeri i palëshuar nga kryeministri. Policia nëse duhet të përdoret nga kryeministri është nën kontrollin e tij. Ministria e Brendshme, në këtë situatë, është më shumë Ministria e zgjedhjeve dhe unë besoj se Çuçi është njeriu i duhur pasi vjen nga procese të rëndësishme si reforma territoriale dhe zgjedhore”.

Por, cilat janë arsyet që e bën Ramën të emërojë Bledi Çuçin ministër të Brendshëm? “Arsyet janë dy. Së pari, profili i ulët dhe jokonfliktual dhe së dyti, e cila mendoj është edhe më e rëndësishme, përgatitja e vendit dhe administrimi i procesit jozgjedhor, por i përgatitjes për zgjedhje, siç janë listat e zgjedhësve, transferimi i adresave të qytetarëve. Ka një mori punësh për të bërë qeveria, para se të shkohet në zgjedhje. Çuçi është një nga njerëzit që e njeh shumë mirë këtë gjë. Tani, se cili është qëllimi për të vendosur një person që e njeh këtë proces, për të bërë një punë të mirë apo për të bërë llogari të tjerë, këtu nuk dua të futem në të tilla hipoteza”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/12/16/ndryshime-ne-kabinet-cuci-pason-lleshajn-ekonomi-shkon-te-bujqesia/

A2 CNN Livestream

Latest Videos