
Për ish-ambasadorin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, vizita e Vjosa Osmanit, ishte dhe është nga më të mirat që një shtetas nga Kosova bën në Shqipëri.
“Tani avantazhin e merr brezi i ri i politikanëve të Kosovës, të cilët kërkojnë ndryshim pa pasur asnjë paragjykim. Një presidente që shikon përtej vizionit, përtej presioneve. Shtron në mënyrë të natyrshme disa pyetje që deri tani kanë qenë pengesë, si politikat e qeverisë Rama që shikonte dualitetin që prodhonte politika me Serbinë dhe Vuçiç”, tha Nesho, i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2.
Sipas tij, Osmani dhe Kurti, të cilët Nesho i quan si dy njerëzit më popullorë në Kosovë, po kalojnë në një politikë që të jetë produktive. Nesho shpjegon edhe mesazhet e deklaratave të Osmanit gjatë konferencës me Presidentin Meta një ditë më parë.
“Në radhë të parë, hedh çështjet e gjenocidit të Serbisë ndaj popullsisë së pafajshme. Kjo është sfidë personale për Ramën, i cili të gjithë politikat e tij të zhvillimit në rajon i ka bazuar te marrëdhënia me Vuçiç. Kjo çështje është një vijë e kuqe për Vuçiç.
Nuk ka asnjë paragjykim për ato gjëra që akoma qeveria Hoti nuk di se çfarë të bëjë, të respektojë marrëveshjen e Uashingtonit dhe Minishengenin, apo të zbatojë atë që ka qenë një konsensus i gjerë në Shqipëri dhe Kosovë, që Minieshengeni prodhon më shumë avantazhe për dominimin e Serbisë në rajon, sesa përfiton Shqipëria dhe Kosova.
Osmani e shikon që Minishengeni është gabim, dhe që është prodhim i interesave personale të liderëve ballkanikë për të qenë protagonistë dhe për të mbajtur pushtetet e tyre personale. Nga ana tjetër, Serbia është në avantazh, që atë që nuk e bëri përmes ndryshimit të kufijve, ta realizojë me një dominim të fuqishëm ekonomik, ku futen edhe influencat e fuqive jashtë Europës”.
Për herë të parë, thotë Nesho, politikën dhe iniciativën në çështjen e bashkëpunimit mes dy vendeve ta marrin politika e re e Kosovës, Osmani dhe Albin Kurti. “Kurti ka kapur atë që është thelbësore dhe që kërkohet nga faktori ndërkombëtar: lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, lidhjes së krimit me politikën, të gjitha probleme akute që shkatërrojnë demokracitë e këtyre vendeve.
Osmani dhe Kurti janë më të votuarit si politikanë, prodhojnë një politikë që nuk është politikë e vjetër dhe e interesave personale, por e interesave personale dhe perspektivën e faktorit shqiptar si forca kryesore në Ballkan. Sigurisht, vizita e Osmanit do të ketë kundërshtitë e saj, sepse ajo në një farë mënyre kritikoi mënyrën e të bërit politikë nga Shqipëria”, tha ai. (A2 Televizion)