
Akuzave të Edi Ramës se ka organizuar protestat e dhunshme të javës së kaluar, Ilir Meta iu përgjigj në konferencën për shtyp, me homologen kosovare Vjosa Osmani.
“Qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë që nuk kanë në krye të shtetit një president tinzar dhe as palaço. Kanë një president që kur e thotë një fjalë e çon deri në fund”.
Presidenti zgjodhi të sillte në vëmendje manifestimin e 2 marsit me mimoza në duar, dhe paralajmëroi se tubimet presidenciale do të dalloheshin lehtësisht në publik.
“Nëse do të ketë edhe një manifestim tjetër nga presidenti do të ketë një dhe vetëm një, do të jetë publik dhe do të jetë edhe manifestimi i fundit kundër dhunës, për t’i dhënë fund një herë e mirë një regjimi të dhunshëm ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, Meta i cilësoi në nivelin vëllazëror. Një batutë që u shfrytëzua nga presidentja në detyrë e Kosovës për të vënë në pah se vizita e saj nuk ishte thjesht kortezie.
“Unë do t’i konsideroja raportet midis dy vendeve si ndërmjet dy motrave pasi janë më të sinqerta”.
Pavarësisht firmës së hedhur në Shtëpinë e Bardhë nga Avdullah Hoti, për t’u bërë pjesë e Shengenit Ballkanik, Vjosa Osmani e shprehu qartë se nuk mbështet nismën e promovuar nga Edi Rama.
“Shengeni Ballkanik shkon më shumë në favor të Serbisë se sa të Kosovës”.
Ndërsa, nga Kuvendi i Shqipërisë kërkon miratimin e një rezolute ku dënon gjenocidin serb në Kosovë. (A2 Televizion)