Menjëherë, pas propozimit të kryeministrit Rama, presidenti Ilir Meta ka dekretuar shkarkimin e Sandër Lleshajt nga ministër i Brendshëm, ndërsa ka dekretuar edhe Bledi Çuçin si ministrin e ri.
Ndërkohë, Meta ka dekretuar edhe Milva Ekonomin si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, post të cilin e mbante Bledi Çuçi.
Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm, pas protestave për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, e cila u shoqërua me një varg protestash në disa qytete të vendit, ku kërkohej largimi i Lleshajt dhe i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Këto lëvizje u bënë zyrtare pasi kaluan edhe në Kuvend, ku dekreti i presidentit për shkarkimin e Lleshaj u votua pro nga 101 deputetë, 3 votuan kundër ndërsa 2 abstenuan.
Shkarkimi i Çuçit nga posti i ministrisë së Bujqësisë u miratua me 99 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenim. Më pas, dekreti për emërimin e tij si ministër i Brendshëm u miratua me 97 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim.
Ndërkohë, dekreti i emërimit të Milva Ekonomit në postin e ministres së Bujqësisë kaloi me 97 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim. (A2 Televizion)