
Partia Demokratike akuzoi Prokurorinë se po mbron 3 të zgjedhurit vendore të 30 qershorit Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku dhe Mark Babani, të denoncuar prej saj si subjekte dekriminalizimi.
Përmes një shkrese, PD akuzon Prokurorinë se nuk po zbaton ligjin, duke zvarritur çështjet dhe duke mos i dhënë opozitës informacionin e kërkuar për procedurën e ndjekur nga organi i akuzës, siç e parashikon ligji. Sipas ligjit, deklarimet e rreme në formularin e dekriminalizimit dënohen me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.
“Kapja e qeverisjes nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale, në pushtetin vendor, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për vetë sigurinë kombëtare, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian”, thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
Për Valdrin Pjetrin e Shkodrës, PD publikoi dokumente se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Italia për trafik droge. Për Agim Kajmakun e Vaut të Dejës, se ishte në kërkim nga Greqia për veprën e rëndë të përdorimit të parave të falsifikuara. Për Mark Babanin e Vaut të Dejës, se kishte bërë burg dhe ishte dëbuar për vjedhje makinash më Itali. (A2 Televizion)