
Partia Demokratike nuk do të jetë nesër në tryezën e Reformës Zgjedhore, pavarësisht njoftimit për Selinë Blu për të marrë pjesë në mbledhje.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se PD dhe opozita i mbetet qëndrimit publik të shpallur në tryezën e organizuar nga OSBE.
"Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për Reformën Zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe në barazi të plotë me palën tjetër. Këto nuk i garanton komisioni jo legjitim i Reformës Zgjedhore", tha Bardhi.
PD, në tryezën e OSBE kërkoi krijimin e një strukture të posaçme për Reformën Zgjedhore me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, me qëllim reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet.
Propozimet e PD për ligjin zgjedhor do të jenë edhe pjesë e platformës së opozitës për zgjidhjen e krizës, ku PD pritet të shprehet edhe nëse bie dakord për ndryshimin e sistemit dhe cilin do të mbështesë. (A2 Televizion)