
Kandidatja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka bërë një tjetër denoncim në lidhje me ato që ajo i quan krime elektorale që ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Sipas Albana Vokshit, gjatë fushatës në qarkun e Fierit u punësuan në mënyrë të jashtëligjshme dhjetëra mësues, të cilët tashme kanë mbetur pa rroga.
“Një nga provat për të cilat KAS duhet të marrë informacion janë punësimet elektorale. Mësuesit e marrë në punë për zgjedhje ne shkollat e Fierit kanë mbetur pa rroga. Ata nuk ishin parashikuar në buxhet dhe sot nuk paguhen dot, sepse janë jashtë organikës. Janë vetëm punësime të përkohshme elektorale në këmbim të votës. Ky skandal elektoral dhe nëpërkëmbje e dinjitetit njerëzor ka ndodhur në, të paktën, 2 gjimnaze të Fierit, në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa” dhe në shkollat e mesme të bashkuara në Kafaraj, Povelçë e Cakran të Fierit”, shkruan Vokshi. (A2 Televizion)