Dervishi: Mungon analiza e brendshme në PD. Zgjedhjet brenda partisë duheshin shtyrë

Nga A2 CNN
17 Maj 2021, 21:28 | Politikë
Dervishi: Mungon analiza e brendshme në PD. Zgjedhjet brenda partisë

Analisti Lutfi Dervishi deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se në Partinë Demokratike mungon analiza e brendshme.

“Nëse Partia Demokratike pretendon për masakër elektorale, duhet të bësh diagnostifikimin e të gjithë procesit, fillimisht përmes rrugëve ligjore që ke nisur. Duhet pritur edhe raporti i OSBE/ODIHR-it. Por, mungon analiza e brendshme në PD”, tha Dervishi.

Sipas Dervishit, në Shqipëri “mungon edhe qarkullimi i elitave politike”.

“Në Perëndim, kur një parti fiton zgjedhjet, nuk shkon e gjithë partia në pushtet. Partia dërgon një ekip qeverisës dhe vijon jetën duke përgatitur elitën e re. Nëse humben zgjedhjet, ata që ishin në qeveri nuk e marrin prapë partinë. E merr ekipi i ri që është përgatitur. Këtu te ne nuk ndodh dhe shkak për këtë ka qenë kontestimi i zgjedhjeve. Kontestimi është mundësia për t’i ikur përgjegjësisë politike dhe për të mos bërë qarkullimin e elitave”, theksoi Dervishi.

“Do të duheshin 6 muaj për një analizë shterruese dhe nuk duhej t’i afronte zgjedhjet brenda partisë, por t’i shtynte”, shtoi analisti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos