
Serbia kërkon takime më të shpeshta me Kosovën. Këtë e pohon presidenti Aleksandër Vuçiç, por nuk pranon që vendi i tij është fajtor për ndërprerjen e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Këtë qëndrim ia bëri të qartë dhe ndërmjetësuesit, Miroslav Lajçak.
“Ne besojmë se çdo bisedë është shëruese, se është e rëndësishme të flitet për të gjitha temat, veçanërisht për Asociacionin e Komunave Serbe dhe energjinë. Duhet të flasim dhe të përpiqemi të krijojmë të paktën një besim minimal mes nesh, që të mos futemi në situatën në të cilën ishim pak më shumë se një muaj më parë”, tha Vuçiç.
Çështjen e Kosovës do ta diskutojë edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin do të takohet së shpejti në Soçi. “Do të diskutojmë edhe për situatën në rajon, dua ta informoj për gjithçka që po ndodh në bisedimet për Kosovën dhe çfarë po ndodh në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç.
Pas kthimit nga Soçi, Vuçiç paralajmëroi dërgimin e një letre në adresë të liderëve të ndryshëm shtetesh me një pyetje drejtuar atyre, lidhur me deklaratat e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për bashkimin me Shqipërinë. “Do të përmbajë një pyetje të thjeshtë. A do të heshtni dhe nuk do të reagoni nëse dikush nga këtu flet për një bashkim me një shtet tjetër? Sipas të cilit, në parim u lejohet shqiptarëve ta bëjnë këtë dhe serbëve u ndalohet. Në formë zyrtare, do të kërkoj shpjegim nga të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive”, tha Vuçiç.
Ai foli edhe për tkurrjen e popullsisë në Serbi dhe ofroi një shpërblim prej 2500 euro për çdo çift që do të lindë fëmijën e parë. Kjo shumë shkon deri në 4 mijë euro, bashkë me ndihmat e tjera nga komunat. “Po zhdukemi si komb”, u shpreh i shqetësuar presidenti serb teksa njoftoi dhe masa të tjera lehtësuese për blerjen e apartamenteve për çiftet e reja. (A2 Televizion)