Mbahet sot në Beograd takimi i radhës i “Open Balkan”

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2021, 09:52 | Ballkani
Mbahet sot në Beograd takimi i radhës i “Open Balkan”

Zhvillohet sot në Beograd takimi i radhës i “Ballkanit të Hapur”. Mbledhja pritet të mbahet në parlamentin serb ku do të marrin pjesë edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Kryeministri Edi Rama, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, do t’i bashkohen konferencës online.

Liderët e Ballkanit janë shprehur se kjo nismë synon stabilitetin, bashkëpunimin dhe prosperitetin në rajon.

Në këtë nismë, janë tre shtete, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, por nuk i janë bashkuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij kundër kësja nisme, edhe dy ditë më parë gjatë një interviste për mediat kroate. Ai tha se “Ballkanin e Hapur” mund ta kemi vetëm pasi Serbia të hapet me Kosovën.

Ndër të tjera, ai deklaroi se “Ballkani i Hapur” mbetet i tillë vetëm për korrupsion, kriminelë të luftës dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë.

Takimi i radhës pritet që të zhvillohet në muajin dhjetor në Tiranë, për të deklaruar fitoret e deritanishme, duke premtuar se pas një viti e gjysmë nuk do të ketë asnjë pengesë në kufi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos