Drama e familjes Kullolli në Belsh, prej 4 muajsh në çadër dhe të sëmurë

Nga A2 CNN
13 Janar 2020, 11:37 | Aktualitet
Drama e familjes Kullolli në Belsh, prej 4 muajsh në çadër

Nga njëra anë i ftohti i papërballueshëm dhe nga ana tjetër gjendja e rënduar shëndetësore e dy bashkëshortëve, e ka kthyer qëllimin e jetesës së tyre thjesht të mbijetojnë, me shpresën se dikush do t’i ndihmojë.  

Që prej shtatorit të viti të kaluar, kur dhoma e vetme që kishin u shemb nga tërmeti, kjo është banesa e familjes Kullolli, në fshatin Cestie, të bashkisë së Belshit.

Dy bashkëshortët të sëmurë dhe djali i tyre 10-vjeçar përpiqen të mbijetojnë. Ata tregojnë vuajtjet dhe përpjekjet e tyre edhe me autoritetet lokale për të siguruar të paktën një strehë, por deri me tani pa sukses.

“Problemet në banesën tonë nisën që me tërmetin e 21 shtatorit. Erdhi bashkia dhe e cilësoi banesën tonë si të pabanueshme. Më pas na solli çadrën. Kemi më shumë se 5 muaj që jetojmë në çadër. Bashkia na thotë të shkojmë dhe të kërkojmë banesë me qira. Kemi shkuar në Belsh dhe nuk kemi gjetur”, deklaroi para kamerës së A2 kryefamiljari Fatmir Kullolli.

Aktualisht gjendja e tyre është në kufijtë e mbijetesës, pasi kanë nevojë edhe për bukë dhe ilaçe

Djali i tyre 10-vjeçar tregon se çfarë i kishte shkruajtur babagjyshit në fund të viti të kaluar. “Mora stilolapsin dhe i shkruajta të na sjellë ndonjë shtëpi”, shprehet vogëlushi 10 vjeçar.

Me shpresën se dita e nesërme do t’i sjellë fat më të mirë, kjo familje apelon për ndihmë ndaj çdokujt që ka mundësi të ofrojë diçka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos