“Drejtësi kundër të padrejtës”, Muçi nuk dorëzohet: Kuvendi ndikoi politikisht

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2020, 11:18 | Aktualitet
“Drejtësi kundër të padrejtës”, Muçi nuk

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçin, orët e fundit ka konfirmuar padinë në Gjykatën Administrative për Kuvendin e Shqipërisë. Motivacioni është pavlefshmëria ligjore e përzgjedhjes së anëtarëve të dy strukturave, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të cilët gjykojnë profesionalizmin dhe integritetin e njerëzve të drejtësisë, sikurse në rastin e shkarkimit të Muçit.

I ftuar në A2, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, u shpreh se qytetarët shqiptarë duhet të dinë të gjithë procedurën e krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë dhe kjo të mos kalojë në heshtje. Ai theksoi se Kuvendi ka shkelur procedurën kushtetuese, duke ndikuar politikisht në zgjedhjen e anëtarëve të këtyre institucioneve.

“Duke filluar që nga ato organe, që do të bënin vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Padia ime kundër Kuvendit ka të bëjë me konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të Kuvendit për listën e anëtarëve të rivlerësimit, si dhe dy vendimeve të tjera që ky institucion ka marrë, në vlerësimin tim, në shkelje të qartë dhe flagrante të procedurës kushtetuese dhe ligjore për miratimin e institucioneve të rivlerësimit. Qëllimi kryesor i reformës në drejtësi ishte edhe rikthimi i besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë dhe kjo do të realizohej nëpërmjet një procesi kushtetues që do të respektonte në maksimum liritë dhe të drejtat e njeriut të subjekteve, mes të tjerëve kam qenë edhe unë.

Unë kam paraqitur padi për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkak se gjatë emërimit të tyre dhe gjatë krijimit të këtyre institucioneve është shkelur në mënyrë flagrante procedura në Kushtetutën e Shqipërisë, për zgjedhjen e këtyre institucioneve. Duke shkelur këtë procedurë, me pasojë të drejtpërdrejtë, me pasojë zgjedhjen e personave që nuk plotësonin kriteret ligjore. Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka asnjë atribut që të ndërhyjë në procesin e përzgjedhjes dhe verifikimit të kushteve të anëtarëve të institucioneve të drejtësisë. Pavarësisht këtij parashikimi të qartë kushtetues, Kuvendi, pasi merr listat ku ishin 29 kandidatë që plotësonin kriteret, Kuvendi e kthen listën tek Avokati i Popullit. Kjo ishte një shkelje e hapur flagrante e procedurës kushtetuese. Nuk ka asnjë shkak që të justifikohet shkelja e Kushtetutës. Ky është ndikim i pastër politik. Nëpërmjet këtij veprimi, Kuvendi ndikoi politikisht në zgjedhjen e anëtarëve të këtyre institucioneve”, u shpreh në A2, Muçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos