
Policia e Shtetit njoftoi se dy persona janë vënë në pranga, të dyshuar si autorë të atentatit ndaj Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avias, në 2 marsin e këtij viti në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja", në Durrës.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Veliu shtoi se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera. (A2 Televizion)