
Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin për një 67-vjeçar, që grisi fletën e votimit në mënyrë demonstrative teksa po votonte për zgjedhjet e 30 qershorit 2020.
I pandehuri Astrit Çuçka u shpall i fajshëm për akuzën e “dëmtimit të materialeve zgjedhore”. Ai është dënuar me 4 muaj burg, por përfundimisht gjykata pezulloi dënimin me burg, duke e lënë 8 muaj në shërbim prove, kohë gjatë së cilës i pandehuri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.
Sipas vendimit të gjykatës, episodi për të cilin u fajësua 67-vjeçari është regjistruar në qendrën e votimit pranë shkollës “Hillary Clinton” në Kamëz.
Pasi kishte dështuar të votonte, për shkak se nuk kishte me vete mjetin e identifikimit, i pandehuri është rikthyer në qendrën e votimit. Pasi ka marrë nga komisioni dy fletët e votimit, ai i ka grisur ato në mënyrë demonstrative, si dhe ka tentuar të marrë vulat e komisionerëve. Veprimet e tij janë shoqëruar me fyerje në drejtim të tyre dhe thirrjet “Poshtë komunizmi”. Sipas gjykatës, gjatë hetimit dhe gjykimit, Çuçka shfaqi pendesë për ngjarjen. (A2 Televizion)