“Edhe taksë edhe borxh me PPP”, PD akuzon Veliajn: Nga viti 2016, zero shkolla me taksën e infrastrukturës

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2020, 12:16 | Politikë
“Edhe taksë edhe borxh me PPP”, PD akuzon Veliajn: Nga viti

Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Tiranës se po shpërdoron destinacionin e taksës së infrastrukturës.

Eksperti i ekonomisë pranë selisë blu, Mateo Spaho, tha se me paratë e mbledhura nga viti 2016, mund të ishin ndërtuar 12 nga 17 shkollat e premtuara. Jo vetëm kjo nuk ka ndodhur, por për ndërtimin e shkollave, Veliaj po merr borxh përmes kontratave koncensionare me partneritet publik-privat, deklaroi ai.

“Kur taksa u vendos nga Erion Veliaj, sapo mori drejtimin e Tiranës, u tha se qëllimi parësor është heqja përfundimisht e mësimit me dy turne, rikonstruksioni i shkollave ekzistuese dhe ndërtimi i 17 shkollave të reja. 

Sot, të gjithë e dimë se ky është një premtim i pambajtur. Erion Veliaj vazhdon të na zhvasë nga lekët me taksën gjoja të përkohshme të arsimit, por fëmijët janë me 2, 3, madje edhe me 4 turne. 17 shkollat e reja ekzistojnë vetëm në projektet klienteliste korruptive të PPP-ve. 

Është rasti të përmendim se megjithëse ka kaluar 1 vit nga tërmeti, Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë të dëmtuar në Tiranë. 

Premtimet nuk janë mbajtur, sepse si i pari i Bashkisë, si i pari i qeverisë janë politikanë që mashtrojnë elektoratin me premtime të rreme. 

Si çdo muaj të këtyre 5 viteve, edhe vitin e ardhshëm me faturën tonë të ujit do të paguajmë edhe taksën për infrastrukturën arsimore, pa marrë asgjë mbrapsht. Janë 18 mijë lekë çdo vit në faturën e familjarëve, 40 mijë deri në 370 mijë lekë në faturën e biznesit të vogël dhe të madh. 

Nuk i kanë shpëtuar taksës që nga shërbimet, dyqanet, marketet, punishtet, fabrikat, profesionistet e lirë e deri te OJQ-të. 

Të gjithë paguajnë për taksën e infrastrukturës shkollore, por shkolla të reja dhe të mirëmbajtura në Tiranë nuk ka. 

Nga viti 2016 deri më sot Erion Veliaj ka arkëtuar 30 milionë dollarë nga kjo taksë. Me kaq shumë para të marra nga qytetarët e Tiranës, çdo shkollë në Tiranë duhet të kishte ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm me kushtet minimale të higjienës për të mos shndërruar shkollat ne vatrat më të mëdha të infeksionit”, tha Spaho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos