Malaga i kuqezinjve Keidi Bares dhe Armando Sadikut po përjeton një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, ku nga vendi i katërt në La Liga dhe pjesëmarrja në Champions League në vitin 2012, tani ndodhet e 16 në kategorinë e dytë spanjolle.
Por pak mund të mendonin që hallet e klubit do të shtoheshin edhe më shumë ditën e djeshme për shkak të trajnerit, Victor Sanchez. Jo për skemat e gabuara dhe rezultatet e dobëta, por për një video... me pullë të kuqe.

Ditën e djeshme qarkulloi në Twitter një video ku trajneri 43- vjeçar tregonte pjesët intime në celular. Video virale u shpërnda në gjithë rrjetet sociale, para se të bllokohej.

Trajneri postoi një deklaratë ku thuhet se është viktimë e një shantazhi dhe se i është drejtuar forcave të rendit.
Por ndërkohë pronari i Malagës, sheiku Al Thani, ka pezulluar përkohësisht Victor Sanchez deri sa të zbardhet situata.
Për momentin, i vetmi lajm i mirë në ekipin spanjoll janë golat e Sadikut. (A2 Televizion)