Kreu i SPAK: Sfida kryesore, pastrimi i aseteve kriminale, hetimi do kohën e vet

Nga A2 CNN
3 Mars 2020, 16:54 | Aktualitet
Kreu i SPAK: Sfida kryesore, pastrimi i aseteve kriminale, hetimi do kohën

Ashtu si Prokuroria e Përgjithshme edhe SPAK-u ka shpallur si sfidë kryesore hetimin mbi pastrimin e produkteve dhe aseteve kriminale. Kreu i kësaj prokurorie, Arben Kraja tha se SPAK-u me kushtetutë është institucion i pavarur në vendimmarrje, por jo në metodikë dhe objektiv.

“Sfidat kryesore kanë të bëjnë me pastrimin e produkteve të veprës penale, me asetet kriminale, me krimin financiar në përgjithësi. Në këto sfida edhe Prokuroria e Posaçme e gjen veten njësoj siç është Prokuroria e Përgjithshme. Pavarësisht se ne jemi një prokurori që me Kushtetutë jemi të pavarur, por të pavarur në vendimmarrje, por jo në metodikë, qëllime dhe objektiva. Ne kemi nevojë të koordinojmë forcat me njëri-tjetrin”, tha Arben Kraja.

Mesazhi i numrit një të Prokurorisë së Posaçme shkoi në vesh të ndërkombëtarëve, por rezultatet  e punës së SPAK, është ende herët të vilen.

“Prokurorët e SPAK janë jo vetëm të pavarur dhe të ndërgjegjshëm. Kjo do të thotë kur të merret një vendim do të jetë një vendim i matur dhe i bazuar në prova dhe nuk do të ketë diskutime të mëtejshme. Kjo kërkon kohën e duhur. Ne shohim nga jashtë që hetimet zgjasim 2-3 vite për të pasur një rezultat efektiv. Nuk them që do arrijmë në historinë e 2-3 viteve, por do jemi konkretë me kohën e duhur me rezultate konkrete. Këtë jua garantoj, sepse të jeni të sigurt, që të gjithë prokurorët e kanë objektiv tek vetja. Ajo që duhet të bëjmë është që t’i garantojmë kushte për të realizuar në mënyrë objektive dhe të pavarur detyrën që kanë marrë përsipër”, shtoi Kraja.

Prokurorët e SPAK-ut kanë në duar dosje të rëndësishme, siç janë paditë e presidentit Meta, por edhe ato të disa tenderave dhe koncesioneve shtetërore. Sipas tij krijimi i BKH-së ka dhe një fazë të fundit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos