
Frika nga Covid-19 ka detyruar shumë vende të ndryshme të marrin masa drastike për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Mes masave të forta është dhe ajo e mbylljes së kufijve apo kufizimi i fluturimeve me vendet më të prekura.
Kështu sipas agjencisë së lajmeve "Sky", kompanitë “British Airways” dhe “Ryanair” kanë anuluar dhjetëra fluturime mes Britanisë dhe shumë vendeve të Evropës, e cila tashmë është kthyer në një nga zonat me numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus.
Sipas kësaj agjencie, “British Airways” ka vendosur të ndërpresë fluturimet nga Heathrow në Itali, Francë, Austri, Belgjikë, Gjermani, Irlandë, Zvicër.
Ajo që bie në sy është se kompania ajrore britanike ka vendosur të anulojë fluturimin nga aeroporti “Gatwick” drejt Shqipërisë edhe pse vendi ynë deri në këto momente nuk regjistron asnjë rast të prekur nga virusi me origjinë nga Kina, Covid-19.
Ndërkohë Autoriteti i Aviacioni Civil ka reaguar menjëherë pas publikimit të këtij lajmi duke thënë se Shqipëria nuk është në listën e anulimeve të kompanisë British Airways, për shkak të Covid-19, dhe se kompania Ryanair nuk operon ende në tregun shqiptar.
Autoriteti i Aviacioni Civil fton qytetarët që për verifikimet e duhura t’i referoheni informacionit zyrtar në faqen e kompanisë British Airways. (A2 Televizion)