I ftuar në Absolut 4, analisti Drilon Gashi vlerëson rifillimin e bisedimeve Kosovë Serbi, një rinisje e procesit që gjen sipas tij Kosovën në një pozicion dizavantanzhi.
“Është një dialog që vazhdon prej 10 vitesh. Zoti Kurti po merr përsipër një pozicion të dobët të Kosovës, që gjatë gjithë kësaj kohë i kanë munguar qëndrimet e forta dhe parimet, dhe vazhdimisht ka lëshuar pe gjatë këtyre viteve”.
Sipas analistit në SHBA, kjo vjen disa arsyeje. “Jo vetëm për shkak të mospunës por edhe sepse Serbia është pala e fortë, dhe i kërkohet vazhdimisht Kosovës që të bëj lëshime dhe të jetë pragmatike. Kjo e ka renduar pozicionin e saj. Për këtë arsye mendoj që ky moment është një mundësi që Kosova të mbrojë pozicionin e saj dhe të qëndroj afër aleatëve. Është e qartë që qeveria Kurti të harmonizojë qëndrimet e saj me SHBA dhe BE, sado që argumentet mund të jenë të forta, edhe pse nuk ka nevojë që Kosova të pranojë më kompromise të këqija”, thotë Gashi.
Sipas tij, “ Serbia po rrëshqet gjithmonë e më shumë në autoritarizëm dhe po lëshon gjithmonë e më shumë hapësirë depërtimit të Rusisë, ndërkohë që BE nuk ka një qasje unike me mosnjohësit e Kosovës. Amerika ndihmon, dhe ruan atë që është fituar, por pikërisht për këtë arsye Kurti duhet të kërkojë që SHBA të jetë e përfshirë sa më shumë. Nuk besoj se mund të ketë një lëshim para pranverës së ardhme kur do të ketë zgjedhje në Serbi. Mund të ketë marrëveshje minore, si ajo për personat e zhdukur”.
Ai dëshiron të theksojë edhe faktin se “dialogu nuk duhet të jetë i vetmi preokupim, për Kosovën. Është e rëndësishme, por Kosova duhet të shohë edhe shtigje të reja. Kosova duhet të kërkoj anëtarësimin në NATO dhe organizata të tjera, dhe gjithë këto veprime paralele do ta bënin edhe më të frytshëm dialogun”. (A2 Televizion)