Gjykata liron nga qelia drejtorin e burgut "313"

Nga A2 CNN
6 Prill 2020, 17:09 | Kronikë
Gjykata liron nga qelia drejtorin e burgut "313"

Drejtori i burgut “313” në Tiranë, Eduart Struga, i arrestuar të premten pas dyshimeve për “korrupsion”, u lirua nga qelia.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata vlerësoi se provat e paraqitura nga prokurorët e SPAK-ut nuk ishin të mjaftueshme për ta lënë atë në qeli, siç u kërkua nga prokuroria.

Përmes avokatit të tij, Struga kërkoi deklarim të paligjshëm të arrestit në flagrancë dhe lirim nga qelia, duke e cilësuar akuzën ndaj tij të pabazuar në prova. Të njëjtin fat nuk e patën dy të bashkarrestuarit me të, Florin Ahmeti, shef i logjistikës në burgun 313 dhe biznesmeni Ervin Kurtulla. Për ta u caktua masa “arrest në burg”.

Dy zytarët e burgut “Jordan Misja” u kallëzuan nga një biznesmen që kishte një makinetë kafeje me monedha në institucionin e izolimit. Ai pretendoi se i ishte kërkuar ryshfet nga zyrtarët e burgut për të shtuar numrin e makinetave, ndërkohë që disa të tilla ishin futur nga biznesmeni i arrestuar Kurtulla.

Sipas SPAK-ut, mbajtja në përgjim telefonik dhe ambiental të të kallëzuarve ngriti dyshime se Kërtulla kishte dhënë rreth 550 mijë lekë ryshfet tek zyrtarët në këmbim të lejimit të ushtrimit të aktivitetit tregtar brenda burgut.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos