
Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të shtyjë përsëri seancën e radhës ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tjerë.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve i kërkuan Këshillit të Lartë Gjyqësor që të shprehet për praninë e gjyqtarëve të deleguar në këtë çështje, Artur Kalaja dhe Etleva Temo, pasi nuk janë gjyqtarë të strukturës së posaçme, të formuar vetëm pak ditë më parë.
Vitin e kaluar, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 14 vite heqje lirie Emiljano Shullazin, për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Për katër anëtarët e tjerë të grupit, gjykata caktoi: 12 vite burg për Gilmando Danin, 10 vite për Indrit Qyqjen dhe Indrit Zelën, ndërsa u dënua me 9 vite Blerim Shullazi.
Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht. Në total, Gjykata e Krimeve të Rënda dha 55 vite burg për anëtarët e bandës, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 64 vite. Pas apelimit të vendimit nga Shullazi dhe të tjerët, çështja zgjat prej më shumë se një viti. (A2 Televizion)