
Deputetja Rudina Hajdari u shpreh në Dita Jonë se qytetarët e kanë të pamundur të qëndrojnë të mbyllur kur ata nuk plotësojnë dot nevojat bazë për ushqim.
“Kam filluar aktivitetin në Laprakë, duke u përpjekur të ndihmojë familjet në nevojë, që nuk janë në gjendje të sigurojnë gjërat më bazike, duke qëndruar në shtëpi. Shikoj që ka shumë familje që më shkruajnë nga të gjitha bashkitë e Shqipërisë, që kërkojnë ndihmë për ushqimet bazë. Kjo është një situatë shumë kritike për këta njerëz. Nuk mund të qëndrosh në shtëpi kur nuk ke ushqimet bazë”, u shpreh Hajdari.
Më tej, deputetja i bëri thirrje qeverisë që t’u vijë menjëherë në ndihmë këtyre familjeve, pasi shumë prej tyre rrezikojnë të dalin nga shtëpia, ku jetojnë me qira.
“Jam munduar të ndihmoj familje që nuk kanë mbështetje, gra të divorcuara, invalidë, pensionistë, të cilët nuk mund të dalin nga shtëpia. Shpesh, më thonë se ju duhen më shumë të ardhura për të mbuluar edhe qiratë. Shumë prej tyre rrezikojnë të dalin nga shtëpia”, tha Hajdari. (A2 Televizion)