PD kallëzim penal në SPAK për ministren Olta Xhaçka

Nga A2 CNN
31 Mars 2020, 20:10 | Politikë

Partia Demokratike do të depozitojë nesër në SPAK një kallëzim penal ndaj Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka pas publikimit të rastit ku një kompani elektronike dhe ndërtimi u shpall fituese e tenderit të blerjes së ushqimeve nga Ministria e Mbrojtjes.

Sipas PD, ky tender u realizua me urgjencë në kohë krize dhe u shpall fituese pa garë, një kompani kompjuterash.

“Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “Eurovia” shpk, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore. Vetëm 6 ditë pas këtij modifikimi, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, ajo shpallet fituese e tenderit 1.5 milionë euro të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për paketat ushqimore”, shkruhet në njoftimin e PD.

Sipas Selisë Blu, prokuroria duhet të veprojë me urgjencë për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të kujtdo që, edhe në kohë pandemie vjedh.

“Në tenderin e Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka rezulton e provuar kryerje e tre veprave penale dhe konkretisht: “Shpërdorimi i detyrës”; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë; parashikuar nga nenet 258, 258 dhe 260 të Kodit Penal”, raporton PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos