
Daily Mail raporton se hakera kibernetikë kanë sulmuar sistemin e klubit anglez të futbollit, Manchester United dhe kërkojnë miliona paunde dëmshpërblim për të mos e shkatërruar atë. Por, edhe pse javën e kaluar United ka kryer një mbyllje totale të sistemeve të veta, klubi nuk ka pranuar për mediat nëse i është kërkuar të paguajë një dëmshpërblim.
United pranoi të premten se ishte goditur nga një sulm “i sofistikuar” që vazhdon të shkaktojë probleme. Klubi anglez tha gjithashtu se nuk ka mundur të zbulojë personat apo qëllimin e këtij sulmi, por hodhi poshtë pretendimet se hakerat kishin ende kontrollin e sistemeve.
Ndeshja e së martës në Champions League kundër Basaksehir u zhvillua normalisht, por u bënë disa ndryshime për të mos pasur probleme. Megjithatë, BBC raporton se disa shërbime, si e-mail-et, nuk janë ende funksionale. Në zgjidhjen e problemit është përfshirë edhe Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, agjenci që ofron udhëzime ndaj kompanive private që kanë rënë pre e sulmeve të tilla. (A2 Televizion)