
Pasi humbi zgjedhjet për kryetare të PD-së, kandidatja Edith Harxhi deklaroi se gara e 13 qershorit u zhvillua jashtë çdo standardi.
Ajo bëri publike disa prej fakteve që, sipas saj, vërtetojnë parregullsitë zgjedhore në garën e brendshme të Partisë Demokratike.
“Disa prej shkeljeve statutore dhe procedurale unë i kam bërë publike më 13 qershor, ditën e zgjedhjeve. Audituesit elektronikë, përfaqësuesit e kandidatëve nuk janë lejuar të verifikojnë nëse ka modifikime në sistem. Ata kanë qëndruar aty deri sa janë printuar të gjitha listat, futur në zarfe dhe dërguar degëve. Kartat e reja të anëtarësisë nuk përmbajnë elemente të sigurisë, fotografi, nënshkrim të anëtarit dhe as degën nga e cila lëshohet. Infrastruktura fizike dhe ajo njerëzore në selinë qendrore u vu e gjitha në funksion të kryetarit. Koha për fushatë ishte e pamjaftueshme”, tha mes të tjerash Harxhi. (A2 Televizion)