“Rrjeta”e dekriminalizimit, konfirmohet dënimi në Greqi i kryebashkiakut të Mallakastrës

Nga A2 CNN
15 Qershor 2021, 17:16 | Politikë
“Rrjeta”e dekriminalizimit, konfirmohet dënimi në Greqi i

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rrezikon të humbasë mandatin. Prokuroria e Përgjithshme, në përfundim të hetimeve, konstatoi se ai ka qenë i dënuar në Greqi me 3 vjet burg.

Rezulton se Qerim Ismailaj, është deklaruar fajtor dhe është dënuar me tre vite burgim për veprën penale të “Konfliktit/Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë.

Në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar pranë KQZ-së në vitin 2019, Ismailaj nuk e ka treguar këtë dënim, duke iu përgjigjur me “Jo” të gjitha pyetjeve mbi problemet që mund të ketë pasur në të shkuarën me drejtësinë shqiptare apo të vendeve të tjera.

Prokuroria nisi hetimin pas kërkesës së Partisë Demokratike, e cila në janar 2020 denoncoi publikisht rastin, duke kërkuar verifikime zyrtare nga organi i Akuzës.

Tashmë fatin e Qerim Ismailajt e ka në dorë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ku nga praktika e mëparshme, i ka ndërprerë mandatin çdokujt që nuk ka bërë deklarim të saktë në formularin e dekriminalizimit. Mandati i Ismailajt nuk do të vihej në dyshim nëse ky i fundit do ta deklaronte veprën penale me të cilën ishte dënuar, pasi ajo nuk futet tek ajo kategori që do t’i pengonte kandidimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos