
Në çështjen e inceneratorëve, radha për t’u dëgjuar në Komisionin Hetimor ishte kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi.
Subashi cilësoi inceneratorin si një vepër tejet pozitive për të gjithë fierakët, dhe pohoi ndër të tjerat kontaktet me Klodian Zoton, i shpallur në kërkim për inceneratorët nga SPAK.
"Kam pasur komunikim 2-3 herë, me Klodian Zoton, momenti kur filluam që të depozitonim mbledhjen në impiantin e ri dhe kemi bërë biseda në kuadrin teknik, së bashku me persona që kanë administruar impiantin. Një bisedë teknike, si do i depozitojnë mbetjet, për orarin, kemi kërkuar që impianti të punojë gjatë natës dhe kemi gjetur dakordësinë", tha Subashi.
I pyetur nga anëtarja e Komisionit Dhurata Çupi, për personat qe mund të jenë përgjegjës për zbatimin e projektit te inceneratorit, Subashi shtoi se “nuk mund të jap detaje se nuk kam informacion për këto detaje. Nga takimet që kam patur me drejtorin e impiantin më ka thënë që për pak ditë fillon procesi i incenerimit. Që nga ky moment impianti quhet 100% i përfunduar”.
Kreu i Bashkisë së Fierit solli në Komision edhe një video të një deklarate të vjetër të demokratit Enkelejd Alibeaj, ku sipas tij tregohej se ata kishin pasur të njëjtin mendim për menaxhimin e mbetjeve në Fier, por nuk u la të dëgjohej nga Komisioni.
Komisioni Hetimor i kërkoi kryebashkiakut llogari për tokën shtetërore që i është dhënësi garanci për kredi. Subashi u përgjigj se nuk është në dijeni.
“Sa i takon lejes së ndërtimit, gjykata ka thënë se leja e ndërtimit e dhënë nga KKT-ja është gjetur në përputhje me ligjin. Pretendimet se është ndërtuar në tokë arë, janë cilësuar të pabazuara. Sa i takon pyetjes, unë nuk jam në dijeni dhe besoj se prona e shtetit të jetë lënë si garanci për kredi të mundshme. Nuk na ka njoftuar njeri për këtë çështje. Prona e shpronësuar në emër të bashkisë Fier është lënë si garanci për kredi. Nuk kam asnjë informacion. Nëse mendoni se ka problem ligjor apo kontraktor, le të veprojnë institucionet përkatëse”, ishin fjalët e Subashit. (A2 Televizion)