
Kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, tha se pavarësisht pengesave nga socialistët, ky komision do të vijojë punën deri më 25 shkurt. “Komisioni i Rregullores miratoi zbatimin e rregullores së kuvendit duke dërguar deri më 25 shkurt ditën e mbylljes së këtij komisioni dhe duke i hapur rrugë planit të hetimit të propozuar nga Partia Demokratike në këtë komision”, tha Tabaku.
“Për ditë me radhë kam zhvilluar takime intensive me çdo faktor për të vijuar punën e komisionit që padrejtësisht u ndërpre me votën kundër për planin e hetimit, duke kërkuar që të mbyllet veprimtaria dhe të pengohet thirrja e dëshmitarëve! Një plan hetimor që u votua kundër dhe u bllokua politikisht nga socialistët në mbledhjen e fundit të Komisionit të Inceneratorëve. Afera e inceneratorëve ka qenë një prej çështjeve që ka dëshmuar se si shteti është kapur nga interesa korruptive dhe okulte. Por pesha e një shteti të kapur është ndjerë ditën kur nisi komisioni hetimor për Inceneratorët. Por, taktikat e tyre dështuan dhe qytetarët do të kenë mundësinë të shohin dhe dëgjojnë prova për këtë aferë. Sikundër do të kenë mundësinë të dëgjojnë dëshmitë e atyre që kanë firmosur për ngritjen e inceneratorëve të korrupsionit me vlerë mbi 430 milionë eurove”.
Vendimi për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor u mirëprit edhe nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila tha se ajo po e monitoron nga afër këtë çështje, si dhe u bëri thirrje autoriteteve ta hetojnë atë. (A2 Televizion)