Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e së martës në afërsi të burgut të Peqinit, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një nga policët e këtij institucioni.
Sipas të dhënave të policisë së shtetit, efektivi Idajet Paja 41 vjeç është plagosur si pasojë e një plumbi qorr që ishte qëlluar nga një kodër pranë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është bërë e mundur kapja e shtetasit G. K., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe për pasojë u lëndua lehtë nga një plumb qorr, punonjësi i IEVP Peqin, Idajet Paja.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. (A2 Televizion)