
Vllaznia tregon se është ekipi më në formë i Superiores duke fituar ndeshjen e tretë radhazi, kësaj radhe kundër kampionëve të Tiranës.
Një ndeshje “dramatike” në Loro Borici, që shënonte edhe debutimin e trajnerit të ri bardheblu Nevil Dede.
Shkodranët kalojnë në avantazh në pjesën e parë me një penallti të realizuar nga Marku, ndërkohë që kryeqytetasit barazojnë në fillimin e pjesës së dytë me një aksion të bukur të finalizuar nga talenti Muçi.
Por bardheblutë ende po festonin kur sërish Marku realizon në minutën 50 falë një gjuajtje të fuqishme dhe të pakapshme për portierin Bekaj.
Ndeshja ka emocione të shumta, por edhe gabime, si ai në minutën 60 i portierit Zogovic, i cili nuk llogarit mirë daljen dhe i hap rrugën ganezit Sasraku për barazimin 2-2.
Por kur ndeshja dukej se do të shkonte drejt barazimit, ish-sulmuesi i Tiranës Dunga shënon në sekondat e fundit të kohës shtesë, duke i dhuruar tri pikë të arta shkodranëve në krye të klasifikimit .
Ndërkohë, Laçi dhe Partizani kanë barazuar pa gola, edhe pse kryeqytetasit kanë pasur raste të mira shënimi, në veçanti me sulmuesin Solomon. Barazim pa gola edhe në ndeshjen e Teutës kundër një Kukësi në vështirësi. Më parë Skënderbeu morri një fitore të rëndësishme kundër Bylisit, ndërkohë që Kastrioti dhe Apolonia morën një pikë me rezultatin 1-1. (A2 Televizion)