
Xhemal Bushati është kandidati për Shkodrën i Partisë Demokratike. I ftuar në Debat në A2 CNN, Bushati shpalosi platformën e tij për qytetin veriperëndimor.
“Pavarësisht se kemi një kohe të shkurtër, projekti im për Bashkinë e Shkodrës do të bazohet në një program me tre shtylla, një plan emergjence për t’i shërbyer të sotmes duke projektuar të ardhmen. Kemi nevojë për rritjen e infrastrukturës në qytet si dhe një qytet më ë pastër, një vendimmarrje të përbashkët me qytetarët dhe një rishikim i buxhetit”, tha kandidati për Shkodrën e PD-së.
Bushati tregoi për eksperiencën e tij në territorin shkodran, “kam qenë 12 vite anëtar i Këshillit bashkiak, mendoj se i njoh problematikat e qytetit”, por edhe për Spahinë e Komisionit të Rithemelimit dhe Angonin e PS-së, rivalët e tij në zgjedhjet e 6 marsit, që për të kanë karakter thellësisht lokal.
“I konsideroj zgjedhje lokale, po kandidoj jashtë politikës, mendoj se kam mbështetjen e qytetarëve të Shkodrës dhe anëtarësisë. Spahia deri pak më parë ka qenë bashkëpunëtor i imi, ka zgjedhur rrugën e vet. Zonjën Angoni e njoh, ajo hyn si përfaqësuese e qeverisë dhe jo e qytetarëve të Shkodrës”, shtoi ai. (A2 Televizion)