
Shqipëria dënon njohjen nga Rusia të pavarësisë së rajoneve ukrainase Donetsk dhe Luhansk.
Në një psotim në Twitter ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha se kjo është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjes së Minskut si dhe shkelje e integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.
Xhaçka theksoi se Shqipëria qëndron i bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës.
Të njëjtin qëndrim ndau në rrjetet sociale edhe presidenti Ilir Meta.
Edhe Bashkimi Europian ka reaguar pas njohjes së pavarësisë së rajoneve rebele në Ukrainë nga Rusia. Presidentja e KE-së Ursula Von Der Leyen e ka cilësuar shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut dhe thekson se BE do të reagojë me vendosmëri ndaj këtij veprimi.
“Njohja e dy territoreve separatiste në Ukrainë është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut. BE-ja dhe partnerët e saj do të reagojnë me unitet, vendosmëri dhe vendosmëri në solidaritet me Ukrainën”, shprehet Ursula Von Der Leyen. (A2 Televizion)