
Tirana kampione në fuqi që kërkon rikthimin te fitoret dhe Partizani i shfaqur si pretendent kundër të gjitha parashikimeve, që synon të konsolidojë kreun. Edhe pse është vetëm java e gjashtë e Kategorisë Superiore, derbi paraqitet si një duel vendimtar në luftën për titullin.
“Tirana është e dënuar të fitojë ndeshje dhe të fitojë tituj. Luajmë në një kampionat të ngjeshur dhe duhet të bëjmë më të mirën. Duhet të përmirësojmë ato probleme që kemi shfaqur në çdo ndeshje. Nuk e kam vendosur unë dënimin e Tiranës për fitore, por këto figura të mëdha që shihni përreth”, u shpreh trajneri Dede.
Ilir Daja do ta drejtojë Partizanin për herë të parë në derbi. Me gjithë rezervat që shfaqi për terrenin e lojës, tekniku premtoi se të kuqtë do të hyjnë në fushë me zemrën zjarr.
“Është një ndeshje që duhet fituar. Përveç tifozëve ka edhe një bonus psikologjik. Ne e kemi përgatitur me qetësi sepse vijmë nga një gjendje psikologjike e mirë. Natyrisht që nuk presim të kemi kundërshtar si të mëparshmit. Do jemi me mendjen e ftohtë dhe me zemrën zjarr”, tha Daja.
Derbi Tirana-Partizani do të luhet këtë të premte në orën 18:00 në Arenën Kombëtare. (A2 Televizion)